Siguria

Edhe pse Praga është një qytet relativisht i sigurt, me raste krimesh apo dhune jashtëzakonisht të rralla, do të ishte mirë për ju të dinit raste kur mund të gjendeni në rrezik.

Turistët janë shënjestra të mirë për batakçinjtë kudo në botë dhe kështu ndodh edhe në Pragë. Nëse i njihni situatat e veçanta ku mund të ndjeni pasiguri dhe se si të mbroheni prej tyre, do ta kaloni mjaft mirë edhe udhëtimin. Një turist dallaveret më të shpeshta i rastis me: taksitë, faturat e restoranteve dhe shkëmbimin e parave.

Siguria

Mashtrimet në restorantet e Pragës

Edhe pse sot gjendja është ku e ku më e mirë se dhjetë vjet më parë, ende duhet të tregoheni i kujdesshëm dhe ta kontrolloni me kujdes faturën, që të mos ua hedhin.

Mashtrimi më i zakonshëm është pagesa për kërkesa shtesë, si salcë, bukë, simite apo gjevrek. Zakonisht menyja e specifikon nëse duhet të paguani çmim më vete për bukën, por gjithmonë në një vend ku është e vështirë ta shohësh. Nëse nuk doni të paguani për to, atëherë zgjidhja më e thjeshtë do të ishte duke i kërkuar personelit që t’i marrë mbrapsht, sepse edhe nëse nuk i prekni, por gjenden në tavolinën tuaj, atëherë do të jeni i detyruar t’i paguani. Natyrisht që ky problem nuk lind në restorantet më të mira.

Fatura të shkruara me dorë, ku nuk specifikohen artikujt: nëse nuk merrni një faturë të detajuar me artikuj, bëni një mbledhje të shpejtë me mend dhe nëse shuma nuk përkon, atëherë kërkoni t’ju sjellin një faturë të detajuar. Kjo nuk para ndodh në restorante, megjithatë ndodh rëndom në birrari (pub).

Mashtrimi i faturës në grup: Nëse paguani një faturë të madhe, për një grup njerëzish, është shumë e thjeshtë të të rrasin ca artikuj më shumë në faturë. Ose mund të bëjnë enkas përllogaritje të gabuar, për shembull, nëse duhet të paguani 462 Korona, mund t’ju kërkojnë 562.

Mashtrimi i taksës së shërbimit: Sipas ligjit çek, fatura gjithmonë përfshin një taksë shërbimi, por jo bakshish të detyruar. Kështu që shuma përfundimtare duhet të përfshijë edhe 10%. Disa restorante përpiqen t’i bindin klientët se duhet të lenë edhe një 10% tjetër: kjo nuk është e vërtetë.

Mashtrimi i taksive të Pragës

Taksistët e Pragës janë të mirënjohur për namin e tyre të keq. Shpesh herë të huajt as që e dinë se u është thënë një çmim shumë më i lartë, se i kanë mashtruar, etj. Ata ose e zbulojnë kur është shumë vonë, ose janë shumë të ndrojtur për t’iu kthyer taksistit, ose vendosin të paguajnë duke e konsideruar “haraç turisti”.

Përveç praktikës së zakonshme të një taksisti që të kërkon të paguash një çmim të lartë, ka edhe disa metoda të tjera, që është e vështirë t’i kapësh. Për shembull, një taksimetër i shpejtë: tarifa taksisë duket në rregull, por kur kontrollon largësinë e përshkruar dhe tarifën e përgjithshme që duhet të paguani, këto nuk përkojnë. Kjo do të thotë se taksisti po përdor një taksimetër të modifikuar, që shënon pagesë më të lartë nga ç’duhet. Kështu, gjithmonë kontrolloni paraprakisht se çfarë tarife duhet të ketë lëvizja që do të kryeni.

Tarifë e gabuar: largësia e përshkruar nga taksia duket në rregull, por çmimi është më i fryrë nga ç’duhet. Zakonisht kjo fryrje bëhet nëpërmjet një “tarife bagazhesh” ose nga një “tarifë e zonës jashtëqytetase”. Me shumë gjasë, shoferi do të ketë një justifikim të mirë. Për shembull, taksistët që punojnë për kompani të caktuara, fiksojnë tarifa të ndryshme, ku më lart e ku më poshtë (për shembull, kur kërkoni një taksi me telefon, ata ju japin një çmim më të ulët, krahasuar me taksitë që gjeni në rrugë, etj).

Kusuri: taksistët do t’ju thonë se iu vjen vërtet shumë keq, por nuk kanë të thyera që t’ju kthejnë kusur (të cilin e quajnë bakshish). Ose do t’ju kthejnë kusur me të tjera para, duke shpresuar që ju të mos e njihni kartëmonedhën vendase.

Një tjetër praktikë është e ashtuquajtura “itinerari piktoresk“. Tarifa e taksisë dhe rruga e përshkruar janë të sakta, por ju keni bërë më shumë rrugë se ç’duhet, pasi taksisti qëllimisht ka zgjedhur një rrugë më të gjatë, që ju të paguani më shumë.

Kemi marrë edhe postë elektronike që na njofton se disa shoferë i kanë çuar klientët në hotelet e gabuar, që mbase mund të mos ketë qenë e qëllimshme, por në çdo rast klientit i është dashur të paguajë më shumë. Kështu që mos thoni vetëm emrin e hotelit, por edhe vendndodhjen e tij, pasi mund të ketë më shumë degë të të njëjtit hotel, që dallojnë nga vendndodhja, etj.

Mashtrimi me shkëmbimin e parave

Ka edhe dallavere të tjera, si komisionet rrjepës të zyrave të shkëmbimit të parave, etj. Ju lutem, hidhini një sy këtij seksioni për detaje të mëtejshme.

Mashtrimet me ATM: Praga ka qenë në të shkuarën shënjestër për kopjimin e kartave. Zgjidhja më e mirë është të përdorni ATM që gjenden brenda bankave, etj., jo ato të rrugës. Ky mashtrim nuk përbën ndonjë rrezik fort të madh, pasi rastet kanë qenë sporadike.

Dallaveret e metrosë

Nëse hyni në metro (zakonisht gjatë natës), në stacione mund të rastisni grupe artistësh rruge, që pretendojnë se janë punonjës të metrosë dhe pasi ju kontrollojnë biletën, pretendojnë se nuk është e vlefshme dhe se duhet të paguani një gjobë prej 500 Koronash (e cila shkon në 1000 Korona, nëse bëni rezistencë). Prandaj, nëse rastisni një situatë të tillë dhe jeni të sigurt se bileta juaj është në rregull, u kërkoni të njoftojnë policinë, ose njoftojeni vetë.

Vjedhjet në vagonët shtretër

Tregohu i zgjuar në trenat me fjetje, sepse vjedhjet e bagazheve sa vijnë e rriten në stacionet e mëdha. Kërkoni kartë identifikimi të cilitdo preson që kërkon t’ju marrë biletën apo pasaportën dhe kyçini çantat e shpinës në raftet e valixheve. Sendet me vlerë mbajini në trup dhe tregohuni praktik në çdo situatë.

Back to top button